Equinet, Rrjeti Europian i
Organeve të Barazisë:
Duke u mbështetur në parimin sipas të cilit trajtimi i barabartë dhe
mosdiskriminimi janë themelet e sistemit universal të të drejtave të njeriut si edhe
në parimet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian;
Duke njohur dhe pranuar se e drejta për barazi dhe mosdiskriminim është e
vetmja e drejtë e përcaktuar në të nëntë traktatet kryesore të të Drejtave të Njeriut
të Kombeve të Bashkuara dhe është gjithashtu subjekt i legjislacionit të detyrueshëm
dhe jurisprudencës së konsoliduar në nivelet e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit
Europian;
Duke u mbështetur në faktin se organet e barazisë janë institucione shtetërore të
pavarura të themeluara në Europë për të promovuar barazinë, për të luftuar
diskriminimin dhe shqetësimin dhe shpesh kanë mandat për t’u marrë me gjuhën e
urrejtjes;
Duke nënvizuar se organet e barazisë janë organizma të dedikuar dhe të posaçëm
për të promovuar barazinë dhe mosdiskriminimin në të gjitha fushat e jetës;
Duke njohur dhe pranuar parimin sipas të cilit liria e shprehjes është një nga të
drejtat më themelore të njeriut dhe e cila ka vlerë për tu aplikuar jo vetëm në rastin
e “informacioneve” ose “ideve” të cilat konsiderohen të favorshme, të padëmshme
apo ndaj të cilave mund të jemi indiferentë, por edhe për ato “informacione” apo
“ide” të cilat krijojnë shkelje, tronditje apo trazira ndaj nocionit të Shtetit apo të një
sektori të popullatës; gjithashtu duke u mbështetur në parimin sipas të cilit liria e
shprehjes nuk është absolute dhe është e nevojshme të parandalohet gjuha e
urrejtjes, e përkufizuar si çdo formë e shprehjes nëpërmjet të cilës përhapet, nxitet, promovohet ose justifikohet urrejtja e bazuar në intolerancë;
Duke njohur dhe pranuar marrëdhëniet ndërmjet diskriminimit, formave të
ngacmimit dhe gjuhës së urrejtjes;
Duke ju referuar raportimeve mbi shqetësimin rreth numrit në rritje të fushatave
zgjedhore në Europë të cilat janë të ndotura nga përdorimi i një gjuhe që etiketon
“fajtorë-pa-faj” dhe diskriminon, apo nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj
grupeve të caktuara të shoqërisë, shpesh e justifikuar thjesht si shprehje të
mendimeve personale madje edhe si preokupime për mbrojtjen e të drejtave të
njeriut;
Duke njohur dhe pranuar se diskriminimi, shqetësimi, gjuha e urrejtjes dhe
ideologjitë apo diskurset në fushata zgjedhore që bazohen në ide ose teori të
superioritetit të qenësishëm të një grupi personash për shkak të karakteristikave të
tyre personale, janë drejtpërdrejtë dhe domosdoshmërisht kontradiktore me
parimet demokratike dhe janë në gjendje të minojnë vlerat themelore të shteteve
demokratike dhe traditat tona të përbashkëta kushtetuese.

Lexo te plote Dokumentin 

AlbaniaUSA