Qyteza e Patosit nisi të ndërtohej rreth vitit 1949 për të strehuar punëtorët dhe inxhinierët e naftës. Baseni naftëmbajtës i njohur si “Patos-Marinza” është historikisht zona më e pasur me naftë në Shqipëri dhe sot vijon të prodhojë shumicën dërrmuese të naftës bruto në vendin tonë. Por pavarësisht kësaj, numri i të punësuarve në industrinë e naftës nga kjo zonë është sot shumë herë më i ulët se sa ka qenë dikur.

Për shumë vite burimi kryesor ekonomik ka qenë sektori naftënxjerrës, por pasi kanë nisur operimin në tregun e naftës kompanitë e huaja niveli i të punësuarve në këtë sektor ka ndryshuar, duke sjellë një përqendrim gjithnjë e më të madh tek sektori i bujqësisë dhe agrikulturë. Sipas të dhënave tashmë, përveç ish komunës Zharrës, zonat e tjera si Patosi dhe Ruzhdia kanë si burim kryesor ekonomik kultivimin e ullirit dhe tregtimin e nënprodukteve të tij, të cilat favorizohen dhe nga vetë relievi kodrinor i kësaj zone.

Më tej është sektori privat i shërbimeve ai që siguron të ardhurat për zonën urbane dhe vitet e fundit kanë nisur aktivitetin në këtë njësi vendore edhe bizneset fasone. Për shkak të relievit malor, në këtë bashki ka zona të largëta me qendrën e bashkisë, popullsia e tyre është reduktuar ndjeshëm për shkak të zhvendosjes drejt qendrave urbane të vendit ose drejt vendeve fqinje. Vitet e fundit, infrastruktura rrugore e zonës urbane dhe fshatrave përreth është përmirësuar ndjeshëm, por sigurisht ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të sigurohet transporti sa më i lehtë i zonave të largëta malore drejt qendrës së bashkisë së re.

AlbaniaUSA